Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se kishte penguar në punë drejtorin e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë

Raporti për web- rasti Sherif Rama, 13 mars 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Mars 13, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, e ka dënuar më gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, Sherif Rama.

Mirëpo, sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Lidija Vuqoroviq, ky dënim me burgim nuk do të ekzekutohet nëse Rama, në periudhën verifikuese prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, me këtë aktgjykim, Rama është obliguar që për shpenzimet e procedurës të paguajë shumën në vlerë 30 euro, si dhe pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën, i akuzuari Rama ka pranuar fajësinë.

Ai është shprehur se është penduar për atë se çfarë ka ndodhur, duke thënë se ka qenë veprim i momentit, dhe se me të dëmtuarin janë pajtuar.

Me pranimin e fajësisë së të akuzuarit është pajtuar edhe prokurorja Slavica Mavriq, e më pas ky pranim i fajësisë është aprovuar edhe nga ana e gjykatëses Lidija Vuqoroviq, me arsyetimin se ky akt mbështetët në faktet që gjenden në aktakuzë dhe se aktakuza nuk përmban shkelje ligjore apo gabim faktik.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 3 shtator 2018, Sherif Rama, akuzohej se më 5 gusht 2014, në Mitrovicë, në lokalet e Qendrës për Punë Sociale me përdorimin e forcës pengoi personin zyrtar në kryerjen detyrave zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, ashtu që në ditën e lartcekur ka hyrë në zyrën e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, tani të dëmtuarit Mensur Beqiri, derisa ishte duke kryer detyrat zyrtare, në pyetjen e të dëmtuarit- drejtorit ku ishte më 31 korrik 2014, rreth orës 15:00 me automjetin zyrtar, i akuzuari Rama, gjithnjë sipas aktakuzës është përgjigjur se ishte në detyrë zyrtare, pastaj e pyet “a ju gënjej” dhe sipas aktakuzës. pastaj i është afruar dhe e ka kapur me duar në qafe dhe shtrënguar duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në formë të gërvishtjeve në pjesën e qafës.

Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Pena të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi