Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje të rrymës

Foto 06.12.2018
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Dhjetor 6, 2018

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë me kusht ndaj të akuzuarit për “vjedhje e shërbimeve komunale”, Milaim Shurdhaj.

Dënimet me kusht nuk do të ekzekutohen nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Shurdhaj nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, tha se i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 20 euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Paçarizi, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Pas kësaj, i akuzuari Shurdhaj, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur, duke shtuar se borxhin ia ka paguar të dëmtuarës KEDS.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, nuk është ndeshur me parë më ligjin, dhe se borxhin ia ka paguar të dëmtuarës KEDS, menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Armend Zenelaj, i cili po ashtu bëri rikualifikimin e veprës penale nga “shfrytëzim i paautorizuar i energjisë elektrike”, nga neni 61, paragraf 1, pika 1.2, të Ligjit për energjinë elektrike të Republikës së Kosovës, në “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPK-së.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 2 tetor 2017, Milaim Shurdhaj, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 15 shkurt 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës më qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, duke shpuar kapakun e njësorit nga ana e epërme, ka penguar rrotullimin e diskut, dhe në brendësi janë gjetur gjurmë të gërvishtjes së diskut me fije të telave, duke anashkaluar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS-Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 205 euro.

Me këtë, i akuzuari Shurdhaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPK-së.