Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje të rrymës

Belkise
Author

Raporton: Belkise BERISHA

Nëntor 8, 2018

Skenderaj – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, të enjten, ka shqiptuar dënim me kusht prej pesë muajsh burgim si dhe gjobë prej 250 eurosh, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Ajet Mehmetaj.

Ky dënim, nuk do të zbatohet nëse i akuzuari brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarin, gjykata e ka detyruar që të paguaj shpenzimet e procedurës në shumë prej 20 euro si dhe paushallin gjyqësor prej 10 euro.

Ndërsa, është obliguar që KEDS-it si palë të dëmtuar t’i paguaj dëmin në vlerë prej 85 euro.

Aktgjykimi nga gjykatësi Mentor Hajraj, është shpallur pasi që i akuzuari ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të së enjtes.

Me rastin e pranimit të fajësisë, i akuzuari ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptojë një dënim sa më i butë duke marrë parasysh rrethanat familjare.

“Kërkoj nga ju që të më dënoni sa më lehtë pasi që jam i pa punë dhe jam mbajtës i njëmbëdhjetë anëtarëve në familje”, ka thënë Mehmeti.

Gjykatësi ka thënë se ndaj të akuzuarit, janë marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, duke përfshirë gjendjen e vështirë ekonomike si dhe pranimin e plotë dhe të vullnetshëm të fajësisë.

Për më tepër, seanca fillestare është mbajtur pasi që policia në bazë të urdhërarrestit e kishte sjellë të akuzuarin në gjykatë.

Sipas Prokurorisë, prej datës së pacaktuar e deri më 23 janar 2015, i akuzuari me qëllim që t’i sjellë vetës përfitim pasuror të kundërligjshëm ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, ashtu që ka keqpërdorë energjinë jashtë pikës matëse, pra pa njehsor elektrik.

Me këtë rast, duke u bazuar në aktin akuzues, i kishte shkaktuar dëm të dëmtuarës KEDS në vlerë prej 85,13 euro, e që ishte vërtetuar nga ana e zyrtarëve të KEDS-it.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këtë kishte kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320 parag.1 i KPRK-ës.