Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje pylli në Malet e Sharrit

52130086_293712204632655_6699772235818729472_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Shkurt 7, 2019

Shtërpcë – Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, të enjten, e ka dënuar me tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Nuhi Tusha.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësja Mirlinda Bytyqi-Rexhepi, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është shprehur se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer dhe ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Dushko Mantiasheviq, i cili i propozoi gjykatës që të akuzuarit Tusha t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Gjykatësja Mirlinda Bytyqi Rexhepi, të pandehurin e ka liruar nga shpenzimet procedurale pasi që i njëjti është shfrytëzues i asistencës sociale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 dhjetor 2018 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Nuhi Tusha po akuzohet se më 17 gusht 2018, rreth orës 20:10 në territorin e parkut kombëtar “Sharri”, në vendin e quajtur “Te Pishat”, me qellim të vjedhjes, ka prerë pesë drunjë të llojit ahu, me vëllim prej 2.66m3, duke shkaktuar dëm në vlerë prej 828 euro.

Me ketë veprim, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhja e pyllit” nga neni 358 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës.