Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje pylli në Istog

20190515_100644 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Maj 15, 2019

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të mërkurën, e ka dënuar me tre muaj burgim dhe 300 euro gjobë me kusht të akuzuarin për vjedhje të pyllit, Shpejtim Imeraj.

Por, dënimet ndaj tij nuk do të ekzekutohen nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Gjykatësi Arben Mustafaj ka deklaruar se i pandehuri obligohet edhe në shpenzimet procedurale, në shumen prej 50 euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është shprehur se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer dhe ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit t’i merr parasysh gjendjen e vështirë ekonomike, dhe faktin se është në gjendje jo të mirë shëndetësore për çka është në trajtim e sipër jashtë vendit.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Arben Hoti, i cili i propozoi gjykatës që të akuzuarit Imeraj t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë e 18 tetorit 2018, e ngarkon të akuzuarin Shpejtim Imeraj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 26 korrik 2018, rreth orës 17:40, në vendin e quajtur “Vojdull”, rajoni ekonomiko-pyjor “Mokna”, të Komunës së Istogut, i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka prerë trungje të llojit të “Ahut”, me vëllim të përgjithshëm prej 5.43 metra kub.

Sipas aktakuzës, trungjet i ngarkon në automjetin e llojit “Traktor”, me ç’ rast është zënë duke i transportuar dhe më pas është konstatuar vendi i prerjes.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi i ka shkaktuar dëm material prej 695 euro. /Betimipërdrejtësi