Istog – Tre muaj burgim me kusht ka shqiptuar të enjten, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ndaj të akuzuarit për vepër penale “vjedhja e shërbimeve”, Kujtim Meshi.
Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Po ashtu, i pandehuri është obliguar nga ana e gjykatësit Arben Mustafaj që të paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumen prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 tetor 2019, i pandehuri Kujtim Meshi, akuzohet se më parë e gjerë më 12 shtator 2017, në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut, pikërisht në shtëpinë e tij, ka siguruar shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për shërbimet me energji elektrike.
Sipas aktakuzës, gjatë një kontrolli të bërë nga komisioni i autorizuar i kompanisë së KEDS-it, është hasur në njehsor me bllomba distributive të dëmtuara, e ku pas hapjes së kapakut të njehsorit elektrik, komisioni i KEDS-it kanë konstatuar se ura e fazës L1 është e larguar, duke bërë që energjia elektrike e shpenzuar në këtë fazë të mos regjistrohet në njehsor.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri ka shpenzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar duke i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarës KEDS, në vlerë prej 98.76 euro. /BetimipërDrejtësi