Dënohet me kusht i akuzuari për posedim të paautorizuar të marihuanës

Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 29, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, e ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë me kusht, të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Agon Mustafaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sejdi Blakaj, dënimet ndaj të akuzuarit nuk do ekzekutohen nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Sipas gjyqtari Blakaj, i akuzuari është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur pasi i akuzuari është deklaruar fajtor, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë.

Pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, i cili pranim nuk u kundërshtua nga prokurorja Ardiana Veseli dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi Blakaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 12 shtator 2019, Agon Musatafaj akuzohet se me 12 gusht 2019, në parkun “Karagaq” në Pejë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit “Marihuanë”, në sasi prej 23.1 gram.

Në akuzë thuhet që në ditën kritike, përderisa Njësiti kundër Terrorizmit ishin në kuadër të një plani, kanë vërejtur të pandehurin duke bërë lëvizje të dyshuara, ku nga çanta e tij ka nxjerrë një qese të najlonit  dhe e kishte lënë para një peme.

Tutje thuhet se pas kontrollit që i është bërë të pandehurit dhe qeses afër pemës, në brendi të saj janë gjetur substancë narkotike, të cilat më pas janë konfiskuar.

Sipas këtyre veprimeve, i pandehuri akuzohet për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave  psikotrope  ose analoge”, nga neni 269, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi