Dënohet me kusht i akuzuari për lidhje ilegale në rrjetin elektrik

20200120_092949
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 20, 2020

Istog – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Besnik Belaj është dënuar me 300 euro gjobë me kusht nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog.

Por, dënimi me gjobë në shumën prej 300 euro, i pandehurit nuk do ta paguajë nëse nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Gani Rugova, i cili tha se i pandehuri Belaj lirohet nga shpenzimet procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Belaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale, e cila i bie në barrë, duke thënë se i vjen keq për rastin që ka ndodhur, dhe se është i gjendjes së dobët ekonomike.

Prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, të pandehurit t’i merret si rrethanë lehtësues pranimi i fajësisë.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 24 dhjetor 2019, duke e akuzuar të pandehurin Besnik Belaj, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më parë e në vazhdimësi, e gjerë më 22 qershor 2018, në fshatin Stupë të Komunës së Istogut, pikërisht në shtëpinë e tij, në mënyrë të tjera ka siguruar shërbime të cilat mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet se pas një kontrolli nga personat e autorizuar, më 16 mars 2018 dhe 22 qershor 2018, pas inspektimit të komisionit të KEDS-it, të njëjtit kanë vërejtur se i pandehuri është lidhur direkt në rrjetin elektrik jashtë njehsorit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në mënyrë të paautorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke i shkaktuar KEDS-it, dëm material në vlerë prej 76.41 euro. /Betimipërdrejtësi