Dënohet me kusht i akuzuari për armëmbajtje pa leje, lirohet nga akuza për posedim të narkotikëve, tjetri dënohet me burg për narkotikë

51433332_285645935463749_2306175701675409408_n
Author

Raporton: Lirie ALIU

Shkurt 8, 2019

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të premten, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Mevludin Ramadani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Aziz Shaqiri, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohet nëse Ramadani, në periudhën verifikuese prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i akuzuari Ramadani, në mungesë të provave, është liruar nga akuza për veprën penale të kryer në bashkëveprim me të akuzuarin tjetër Leotrim Halili, “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Kurse, i akuzuari Leotrim Halili, është shpallur fajtor për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ashtu që, gjykatësi Shaqiri i ka shqiptuar të njëjtit dënim me burg në periudhë prej gjashtë muajve, të cilin do të fillojë ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ose nëse i akuzuari është në vuajtje të dënimit do të vazhdojë ta vuaj këtë të fundit.

I pyetur nga gjykatësi Azizi, nëse i akuzuari dëshiron t’i zëvendësohet me gjobë dënimi i shqiptuar me burg, i akuzuari Halili e ka mohuar një mundësi të tillë, duke mbetur dënimi i shqiptuar prej gjashtë muajsh burg efektiv.

Paraprakisht, të premten është mbajtur edhe seanca e fundit e shqyrtimit gjyqësor me ç`rast palët kanë dhënë edhe fjalën përfundimtare të tyre.

Prokurori i rastit, Sahit Tmava, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se mbetet pranë aktakuzës, me ç`rast i ka propozuar gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet me një dënim sipas ligjit.

Nga seancat e kaluara, i akuzuari Mevludin Ramadani, ka mohuar të ketë kryer veprën penale të posedimit të narkotikëve, kurse, i akuzuari tjetër, Leotrim Halili, ka deklaruar se e pranon fajësinë që ka të bëjë me posedim të narkotikëve e që akuzohet në bashkëkryerje me Ramadanin, duke shtuar se këtë vepër e ka kryer vet, po që gjykata e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga ky i fundit, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore, pasi që sipas dispozitivit të parë të aktit akuzues, të njëjtit janë të akuzuar në bashkëkryerje, kurse i akuzuari Halili e ka pranuar se e ka kryer si i vetëm.

Sipas aktakuzës, më 09 tetor 2017, në lagjen “Dardania I”I, në Gjilan, në mënyrë të paautorizuar, Mevludin Ramadani dhe Leotrim Halili, kanë poseduar substancë narkotike të llojit “marihuanë”.

Sipas aktakuzës, derisa të akuzuarit ishin duke qëndruar afër një trafo rryme, i akuzuari Leotrim Halili posa ka vërejtur veturën e policisë ka filluar të ik duke e kaluar rrethojën e “Hidromoravës”, ndërsa i akuzuari Mevludin Ramadani, me rastin e ndaljes dhe kontrollimit te i njëjti është gjetur një thikë dhe në tokë janë gjetur katër paketime me substancë të llojit “marihuanë” me peshë 9.8 gramë të cilat më pas janë konfiskuar.

Prokuroria, i vë në barrë dy vepra penale të akuzuarit Mevludin Ramadani, edhe atë të “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 si dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, të akuzuarin Leotrim Halili, e ngarkon me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.