Dënohet me kusht i akuzuari ndaj të cilit ishin ngritur dy aktakuza për veprën e njëjtë penale

Raporti për web- rasti Xhevdet Jashari, 8 shkurt 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Shkurt 8, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore e Mitrovicës, të premten, e ka dënuar me 12 muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, Xhevdet Jashari.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bekim Veliqi, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohet nëse Jashari, në periudhën verifikuese prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, Jashari është obliguar me shpenzimet e procedurës në vlerë prej 100 euro.

Paraprakisht, të premten është mbajtur edhe seanca e fundit e shqyrtimit gjyqësor me ç`rast palët kanë dhënë edhe fjalën përfundimtare të tyre.

Prokurori i rastit, Sahit Tmava, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se mbetet pranë aktakuzës, me ç`rast i ka propozuar gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet me një dënim sipas ligjit.

Ndërkaq, ndryshe është deklaruar mbrojtësi i të akuzuarit Xhevdet Jashari, avokati Mahmut Halimi

Ai është shprehur se në rastin konkret Prokuroria me asnjë provë të vetme nuk ka arritur që t’i vërtetojë pretendimet e akuzës, ku më pas ndër të tjera ka mohuar kryerjen e veprimeve me të cilat ngarkohet i mbrojturi  i tij sipas aktakuzës, duke shtuar më pas se siç tha ai, i akuzuari nuk ka pasur njohuri se vetura është e përvetësuar nga pronari faktik dhe juridik i saj.

Në fund, avokati Halimi, nga Gjykata kërkoi që ndaj të akuzuarit Xhevdet Jashari të merret aktgjykim lirues pasi që sipas tij, nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Po ashtu, avokati Mahmut Halimi tha se akuza e cila është ngritur me veprën penale për të cilën akuzohet klienti i tij, përshkrimi faktik i saj, është në kundërshtim me kualifikimin, çfarë sipas tij, do të thotë se akuza ka të meta juridike.

Pas dhënies së fjalës përfundimtare nga avokati Mahmut Halimi dhe prokurori Sahit Tmava, ky i fundit me vërejtjet e avokatit sa i përket kualifikimit ligjor, shfrytëzoi mundësinë dhe bëri rikualifikim ligjor të veprës penale me të cilën ngarkohej i akuzuari Jashari, ashtu që veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345 paragrafi 3 lidhur me 1 e ngarkoj me të njëjtin nen, por me paragrafin 3 dhe 2  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, gjatë fjalës përfundimtare të dhënë nga prokurori Tmava, ai është shprehur se qëndron pranë aktakuzës me numër 104/14, e me ç’rast nga ana e Gjykatës dhe avokatit Mahmut Halimi, u diskutua se për të njëjtin rast ishin ngritur dy aktakuza ndaj të akuzuarit Xhevdet Jashari, për të njëjtën vepër penale.

Por, më pas ishte bërë bashkimi i dy aktakuzave, ashtu që aktakuza e ngritur në vitin 2016, i është bashkuar asaj në vitin 2014 në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 20 korrik 2017.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dy aktakuzat të cilat ishin ngritur nga një prokuror tjetër i kësaj Prokurorie e që aktakuzat kishin të njëjtin numër të rastit, të njëjtin përshkrim faktik të veprës, të dhënat e njëjta për të akuzuarin Xhevdet Jashari, mirëpo në këto aktakuza e vetmja gjë që ndryshonte ishte kualifikimi i veprës penale dhe data e ngritjes së tyre,  me ç’rast njëra ishte ngritur më 17 korrik 2014, ndërsa tjetra më 26 shtator 2016.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të ngritur më 17 korrik 2014, Xhevdet Jashari po akuzohej se më 18 shkurt 2014, në Zubin Potok, ka blerë sendin apo pasurinë për të cilin ka mundur të dijë se është përfituar me kryerjen e veprës penale.

Bazuar në aktakuzë ai dyshohej se ka blerë automjetin e markës “BMW X6”, nga një person i quajtur Luba në vlerë rreth pesëmbëdhjetëmijë euro, për të cilin kishte dhënë kapar i akuzuari Jashari rreth 100 euro, ndërsa pjesën kishte mbetur për ta dhënë të nesërmen.

Më tej, në aktakuzë thuhet se automjetin e ka dërguar në shtëpinë e tij, e i cili më pas është gjetur nga ana e të dëmtuarit Zlatko Jeftiq në bazë të GPS-it, i cili ishte aktivizuar dhe i dëmtuari kishte lajmëruar policinë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345 paragrafi 2 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas aktakuzës së ngritur më 26 shtator 2016, është i njëjti përshkrim i veprës penale mirë në aktakuzë i akuzuari Jashari ngarkohej me veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, neni 345, paragrafi 3 lidhur me 1 të KPRK-së.

E që në fund, i njëjti pas rikualifikimit, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës u dënua për këtë vepër penale nga paragrafi 3 dhe 2. /BetimipërDrejtësi.