Dënohet me kusht gjeodeti që akuzohej se bëri matje joreale për distancën ndërmjet shkollës dhe objektit të lojërave të fatit

Dhurata
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Tetor 11, 2018

Gjakovë – Tetë muaj burgim me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Driton Hoti.

Sipas gjykatësit Shaqir Zika, ky dënim ndaj Hotit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten, pasi është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë që i akuzuari Hoti kishte arritur me prokurorin, Agron Matjani.

Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë përfshinte që pala në mënyrë vullnetare dhe pa ndikim të pranonte fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkonte Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Kjo marrëveshje përfshinte edhe lartësinë e dënimit, ku për të akuzuarin marrëveshja propozonte dënim me kusht prej gjashtë muajsh deri në një vit.

Para se të shpallej aktgjykimi, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Azem Islamaj, ka kërkuar nga Gjykata që t’i parasheh rrethanat lehtësuese ndaj klientit të tij, për arsye se ai ka pranuar fajësinë me vullnetin të lirë, është i vetmi mbajtës i familjes, dhe se ai nuk ka qenë asnjëherë më parë i dënuar për vepra penale.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, aktakuzën ndaj të akuzuarit Driton Hoti e ka ngritur 7 shtator 2018.

Sipas aktakuzës më 17 mars 2017, Driton Hoti, në Gjakovë, në cilësinë e personit zyrtar si ekspert gjeodet ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari ka bërë matjen kadastrale të parcelës në zonën kadastrale në Gjakovë, duke matur distancën prej objektit që gjendet në hotelin “Pashtriku”, lokalit “Game Plus”, deri në shkollën e mesme “Nexhmedin Nixha”, në gjatësi të përgjithshme prej 563.61m për lojërat e fatit.

Sipas prokurorisë, kërkohet që objekti me lojërat e fatit të mos ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të objektit edukativo-arsimor, institucioneve historike, fetare, objekti duhet të jetë larg së paku 500 metra larg.

Në aktakuzë thuhet se sipas gjeodetit Driton Hoti, është përcaktuar gjatësia 563.61m, ndërsa gjatësia reale është 342.26m.

Me këtë veprim, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.