Dënohet me kusht e akuzuara që pranoi fajësinë për vjedhjen e laminatit në shtëpinë e të dëmtuarit

Foto e gjth
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Dhjetor 2, 2019

 

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, pas pranimit të fajësisë, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë me kusht, të akuzuarën për vjedhje të laminatit, Esmo Berani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Florije Zatriqi, dënimet e shqiptuara nuk do të ekzekutohen, nëse e pandehura brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ajo po ashtu ka thënë që e pandehura është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, pasi që e njëjta është me kushte të dobëta ekonomike.

Në seancën e shqyrtimit kryesor, është dëgjuar edhe dëshmitarja Esma Gjogoviq, e cila ishte propozuar nga i dëmtuari Rexhë Krasniqi.

Në deklaratën e saj, ajo tha se të akuzuarën nuk e njeh dhe nuk e ka parë asnjëherë, si dhe në natën kritike, nuk e ka parë askënd në shtëpinë e të dëmtuarit Krasniqi, por vetëm e ka dëgjuar një krismë.

Ajo ka theksuar se të nesërmen e ka vërejtur që dritarja e shkallëve e të dëmtuarit ishte e thyer, për çka edhe e ka njoftuar me telefon nipin e tij.

Kurse, pas leximit të provave, prokurorja Lumturije Hoxha, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi që pas dëgjimit të dëmtuarit, dëshmitares dhe leximit të provave, e bën rikualifikimin e veprës penale, dhe atë nga vjedhje e rëndë, në vjedhje.

Ajo kërkoi nga gjykata që të akuzuarën ta shpall fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.

Kurse, e akuzuara Berani, para dhënies së fjalës përfundimtare, deklaroi që pasi që prokurorja e bëri rikualifikimin e veprës penale, atëherë ajo tha se e pranon fajësinë për vjedhje.

Ndryshe, që nga fillimi i kësaj procedure penale, ajo ka deklaruar se e ka kryer veprën penale të vjedhjes, mirëpo nuk e ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë, sepse sipas saj, ajo nuk ka hyrë me forcë në shtëpinë e të dëmtuarit.

Ndërsa, i dëmtuari, Rexhë Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk ka se çka të shtojë, por vetëm e kërkon kompensimin e dëmit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 korrik 2017, Esmo Berani akuzohet se më 8 maj të vitit 2016, në fshatin Vitomericë të Pejës, në shtëpinë e të dëmtuarit Rexhë Krasniqi, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, merr pasurinë e të dëmtuarit.

Në akuzë thuhet që e pandehura duke përdorur forcën, hap derën e hyrjes së ballkonit e cila ishte pa mbikëqyrje dhe nga aty merr laminat, e cila gjendej në ballkon, një kuti të pa nisur dhe gjysmë tjetër, ku më pas largohet nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi