Dënohet me kusht e akuzuara që pranoi fajësinë për pjesëmarrje në grupe terroriste, falënderon Kosovën që e ktheu nga Siria

09.10.2019
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri, N.H.

Ky dënim i shqiptuar ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur nga gjykatësja e Departamentit Special, Valbona Selimaj, pasi që e akuzuara në seancë fillestare e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Ndaj të akuzuarës, gjykata ka shqiptuar edhe mbikëqyrje nga shërbimi sprovues si vizita tek psikologu apo këshilluesit, në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Ndërsa, gjykata e ka liruar nga shpenzimet e procedurës penale të akuzuarën me arsyetimin se ajo ka gjendje të dobët ekonomike.

Në fund, gjykatësja Selimaj ka njoftuar se të akuzuarës i ndërpritet masa e paraqitjes në stacionin policor.

Një vendim i tillë, sipas gjykatëses Selimaj është shpallur duke marrë parasysh deklarimin e të akuzuarës, sinqeritetin e treguar dhe pasi ishte marrë mendimi i mbrojtjes dhe prokurorit për dënimin.

Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sylë Hoxha, e akuzuara e ka pranuar në tërësi veprën që i ngarkohej.

“E kam të qartë aktakuzën, e pranoj fajësinë. Se jam shku në Siri, pak me qejf, pak me zor. Këtë pranim fajësie e bëj me vullnet të plotë, pas shpjegimit edhe nga mbrojtësja edhe nga gjykata, lidhur me favoret dhe pasojat e pranimit të fajit”, tha ajo.

Më pas, ajo ka shprehur falënderimin e saj për shtetin e Kosovës, që e ka rikthyer atë nga Siria dhe për ndihmën e ofruar me veshmbathje e ushqim.

“Falënderoj shtetin e Kosovës që na kthy në vendin tonë dhe që çdo tre muaj na jep ndihma, ushqim”, tha e akuzuara.

Ky pranim fajësie i bërë nga e akuzuara mori përkrahjen edhe të avokates së saj, Fehmije Gashi-Bytyqi dhe prokurorit Sylë Hoxha, dhe si i tillë u aprovua edhe nga gjykata, pasi u vlerësua se ishte në përputhje me ligjin.

E akuzuara u shpreh e penduar për veprimet e saj dhe shtoi se tashmë është e lumtur që i është rikthyer familjes së saj.

“Pishman i kam ra shumë, tash jam shumë e lumtur që jam kthyer në Kosovë tek familja ime së bashku me fëmijët e mi. Unë s’kam kurrfarë informata për burrin tim, as ai për mu” shtoi e akuzuara.

Avokatja Gashi-Bytyqi i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturës së saj të shqiptohet një dënim me kusht, kjo duke marrë parasysh pranimin e fajit, se është mbajtëse e vetme e familjes së saj, ka gjendje të rëndë ekonomike si dhe pendimin për shkuarjen e saj në Siri.

Po ashtu, edhe prokurori Hoxha i ka propozuar gjykatës shqiptimin e dënimit me kusht ndaj të akuzuarës dhe masës së mbikëqyrjes nga shërbimi sprovues dhe kontrollet sistematike mjekësore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj N.H, për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës, më 26 shtator 2014, N.H së bashku me bashkëshortin e saj dhe tre fëmijët e tyre, e po ashtu edhe mu kunatin dhe kunatën e saj, përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë kaluar në Maqedoninë e Veriut, e më pas në Turqi, me destinacion Sirinë, konkretisht zonën e konfliktit, me qëllim të bashkëngjitjes së grupeve terroriste të njohura si “ISIS”.

Sipas pretendimit të prokurorisë, e akuzuara për pjesëmarrje në këtë konflikt ka pranuar 300 dollarë në muaj, ndërsa ka përdorur edhe armë kallashnikov.

Në dispozitivin e aktakuzës së PSRK-së, thuhet edhe se në shtëpinë në të cilën e akuzuara ka banuar së bashku me bashkëshortin e saj, kanë ardhur në vizitë mysafirë të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe i ndjeri Lavdrim Muhaxheri, të cilit i ka shërbyer ushqim e kafe.

Ndryshe, e akuzuara bënë pjesë në grupin e grave të riatdhesuara nga Siria, më 24 prill të këtij viti. /BetimipërDrejtësi