Dënohet me kusht e akuzuara për rrezikim të trafikut publik

20190109_112421
Author

Raporton: Belkise BERISHA

Janar 9, 2019

Skenderaj – Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, ka shpallur aktgjykim të kushtëzuar ndaj të akuzuarës për rrezikim të trafikut publik, Kimete Veseli.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit Rafet Ismajli, e akuzuara është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo brenda afatit një vjeçar nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur, menjëherë pas përfundimit të seancës ku e akuzuara e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihej në barrë.

Ajo ka deklaruar se ndihet keq për rastin që ka ndodhur duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më e kujdesshme.

Pranimin e  fajësisë nga e akuzuara nuk e ka kundërshtuar prokurori Jovo Radoviq.

Sipas tij, pranimi i tillë i fajësisë kishte mbështetje në provat materiale dhe se i njëjti ishte i vullnetshëm.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 16 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Kimete Veselit, për rrezikim të sigurisë së njerëzve në trafikun publik.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara më 22 tetor 2016, pasi që nuk iu kishte përmbajtur rregullave të trafikut, me veturën që e kishte drejtuar ka rënë në një kanal, me ç’ rast u ka shkaktuar lëndime trupore bashkudhëtarëve.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë, që duke drejtuar automjetin “Audi 80” ka lëvizur në rrugën lokale nga drejtimi i Rudnikut në drejtim të fshatit Kostërc dhe gjatë daljes nga kthesa në të djathë, nuk ia ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, në mënyrë që automjetin ta ndal para çdo pengese që shfaqet në rrugë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si pasojë e lëshimit të lartcekur, kalon në shiritin e kundërt të rrugës, del jashtë rrugës dhe me pjesën e përparme të automjetit del në një kanal, me ç’ rast lëndime të lehta trupore marrin bashkudhëtarët Ragbete Veseli, Sevdije Veseli dhe Shyhrete Veseli

Me këtë, sipas aktakuzës ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 parag.6 lidhur me parag.16 të KPRK-së.