Dënohet me kusht e akuzuara për aksidentin që ishte shkaktuar pasi kishte goditur gurin në skaj të rrugës

20190207_131957-1 (1)
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Prill 12, 2019

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht të akuzuarën për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Remzije Zogaj.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur të premten, pasi që e akuzuara në seancën e kaluar e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi, Njazi Morina dënimi me kusht ndaj të akuzuarës Zogaj, nuk do të ekzekutohet, nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ajo është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore në shumën e përgjithshme prej 100 euro.

Në aktgjykimin e shpallur, e dëmtuara Besa Kastrati, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Kurse, në seancën e shqyrtimit gjyqësor e akuzuara ka kërkuar nga gjykata që ndaj saj të shqiptohet një dënim sa më i butë, për arsye se sipas saj, këtë vepër e ka kryer nga pakujdesia.

Ndërsa, prokurori i rastit, Nazmi Krasniqi, nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, duke kërkuar që e akuzuara të dënohet sipas dispozitave ligjore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 5 mars 2018, Remzije Zogaj, po akuzohet se më 7 janar 2018, rreth orës 07:00, në fshatin Llapqevë, Komuna Malishevë, rrezikon trafikun publik duke shkelur rregullat e trafikut rrugor, duke vënë në rrezik jetën  e njerëzve dhe pasurinë.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zogaj, nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes”, dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, humbë kontrollin mbi automjetin e saj, dhe del jashtë rrugës në krahun e majtë të lëvizjes dhe godet një guri në skaj të rrugës.

Sipas aktakuzës nga ky aksident përveç dëmeve materiale në automjetin e të akuzuarës Zogaj, lëndime të lehta trupore pëson pasagjerja e saj, e dëmtuara Besa Kastrati, lëndime këto të përshkruara sipas ekspertizës mjekoligjore.

Me këtë e akuzuara Zogaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi