Dënohet me kusht dhe me gjobë i akuzuari se mori telefonin që të dëmtuarit i kishte rënë në tokë

Foto Gjykata Th.Peje (5)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 11, 2018

Pejë – Pasi ka pranuar fajësinë për veprën penale të shpërdorimit të pasurisë së huaj, Shkelzen Berisha, është dënuar me tre muaj burgim me kusht, të enjten nga Gjykata Themelore në Pejë.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Gjithashtu ai është dënuar edhe me gjobë në shumë prej 200 eurosh, si dhe është obliguar që të paguaj paushallin gjyqësor në shumë prej 20 eurosh dhe taksën për kompensimin e viktimave në shumë prej 30 eurosh.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja e çështjes Lumturie Hoxha, e që më pas ky akt është aprovuar edhe nga gjykatësi Ahmet Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 22 gusht 2018, Shkelzen Berisha akuzohej se më 25 korrik 2018, në kompaninë “Petrol Kompani”, në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka përvetësuar pasurinë e të dëmtuarit Ramë Rexhepi.

Në aktakuzë përshkruhet se në ditën kritike, i dëmtuari i cili punon në kompaninë e lartcekur, i bie telefoni “Iphone 7” nga xhepi, me ç’rast i pandehuri Berisha, me ta vërejtur telefonin, ulet dhe e merr, për të cilin veprim është identifikuar në bazë të kamerave të sigurisë së pompës.

Me këtë veprim, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”, nga neni 330 par.1 të KPRK-së.