Dënohet me kusht dhe gjobë i akuzuari për dhënie të 20 eurove ryshfet policëve, për mos shqiptim të gjobës

Pejë
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Gusht 9, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin për dhënie të ryshfetit, Reshad Zoronjiq.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej 2 viteve.

Kurse, dënimin me gjobë ai është i obliguar që ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Gjithashtu, është bërë edhe konfiskimi i kartëmonedhës në shumën prej 20 euro.

Aktgjykimi ndaj Zoronjiq është shpallur pasi ai, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Binak Cena, ka hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Pejë, e cila marrëveshje më pas është aprovuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 8 gusht 2019, Reshad Zoronjiq akuzohet se më 7 gusht 2019, rreth orës 15:30, në fshatin Vitomericë të Komunës së Pejës, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë përfitim pasuror personit zyrtar, në mënyrë që të mos veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, pasi zyrtarët policor e kanë ndaluar kamionin e llojit “Merdeces”, i cili po qarkullonte nga drejtimi i Radavcit për në drejtim të Pejës, e të cilin ishte duke e drejtuar djali i të pandehurit Edis Zoronjiq, si pasojë e faktit se tahografi nuk ishte në gjendje të rregullt ngase nuk ishte regjistruar në kohën e saktë, i pandehuri, i cili ishte pasagjer, del nga kamioni dhe pasi djalit të tij i drejtohet me fjalët “shko ti në kamion se unë do të merrna vesh me ta”, nxjerr kartëmonedhën në vlerë prej 20 euro dhe të njëjtën e lëshon mbi gjobë, me qëllim që t’i shmanget dënimit për të cilin ishte njoftuar se do t’i shqiptohet. /Betimipërdrejtësi