Dënohet me gjobë roja e pyllit në Kamenicë i akuzuar për keqpërdorim pozite

119360226_2745260095796115_6875451644352511115_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 14, 2020

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, e ka dënuar me 2,200 euro gjobë rojtarin e pyllit pranë Autoritetit Pyjor në Kamenicë, Sabri Huruglica, i akuzuar për keqpërdorim pozite.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Ismal Thaçi, i akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi paraprakisht ai dhe mbrojtësi i tij, avokati Tefik Dushica kishin arritur marrëveshje me prokurorinë Themelore në Gjilan për pranimin e fajësisë, të cilën marrëveshje të hënën e ka aprovuar gjykatësi Thaçi.

Fillimisht, sipas marrëveshjes, i akuzuari Huruglica është dënuar me pesë muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg i është shndërruar me gjobë, ashtu që i akuzuari obligohet që të paguajë shumën prej 2,200 euro.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 24 gusht 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Sabri Huruglicës, me arsyetimin se ai duke qenë në pozitën e rojtarit të pyllit pranë Autoritetit Pyjor në Kamenicë, ka keqpërdorë pozitën detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij.

Bazuar në aktin akuzues, ai më 16 korrik 2020, në Lisockë të Kamenicës, tek vendi i quajtur “Laku i Cucave” në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë kundërligjore ia ka damkosur 8.30 metra kub dru të ngarkuara në kamion Shefqet Tahirit, i cili ka poseduar një leje për prerjen e drunjëve në malin e territorit Zhuj, ndërsa i akuzuari në kundërshtim me ligjin dhe detyrën zyrtare drunjë i ka damkosur në një vend tjetër të ngarkuara në kamion e që nga dy kamionet e Autoriteteve Pyjore është konstatuar se drunjtë nuk kanë qenë të prera në territorin e Komunës së Kamenicës, por dyshohet se kanë prejardhje nga Republika e Serbisë, dhe në këtë mënyrë i akuzuari me qëllim të përfitimit pasuror për Shefqet Tahirin ia ka da damkosur të njëjtit drunjjët në fjalë.

Me këtë, Sabri Huruglica akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi