Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se me dokument fals të Bullgarisë tentoi të udhëtonte nga Prishtina në Gjermani

Lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Tetor 30, 2019

 


Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të mërkurën, e ka dënuar me 400 euro gjobë të akuzuarin për falsifikim të dokumenteve, Mehmet Ulgen.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, dënimi me gjobë do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë, duke shtuar se ndihet shumë i penduar për veprimet e tij.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar as prokurori Blerim Igrishta, pasi sipas tij, një veprimi i tillë është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore, duke i propozuar gjykatës që te shqiptimi i dënimit, të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Gjithashtu, me pranimin e fajësisë  nga i  akuzuari, është pajtuar edhe mbrojtësja e tij, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Nazmije Aliu, e cila i ka propozuar gjykatës që të shqiptohet një dënim sa më i butë, duke pasur parasysh se klienti i saj, e ka pranuar fajësinë dhe ka premtuar se nuk do ta përsërisë veprën penale.

Gjykatësi Gashi, ndaj të akuzuarit Ylgen, ka shqiptuar edhe dënim plotësues ku do t’i konfiskohet dokumenti i falsifikuar, përkatësisht letërnjoftimi, si dhe atë e ka obliguar që për paushallin gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Mehmet Ylgen, me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 1, i Kodit të Ri Penale të Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 29 tetor 2019, rreth orës 06:00, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i akuzuari me dije ka përdorur letërnjoftimin e shtetit të Republikës së Bullgarisë, i cili ka qenë i falsifikuar, e të cilin i akuzuari ka tentuar ta përdor si origjinal.

Në aktakuzë thuhet se ai ka tentuar ta përdor dokumentin si origjinal, me qëllim që të udhëtojë përmes këtij aeroporti për në Dyseldorf të Gjermanisë, dokument ky i cili është sekuestruar nga ana e policisë gjatë kontrollit të dokumenteve. /BetimipërDrejtësi