Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishte poseduar 0.5 gram marihuanë

f V3 (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Dhjetor 9, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të hënën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Eduard Hoxha.

Me aktgjykimin e shpallur nga gjykatësi Nexhat Aliu, i akuzuari Hoxha, përveç gjobës, ai është i obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, në afatin prej pesëmbëdhjetë ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur më 5 dhjetor 2019, i akuzuari  Hoxha, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai kishte kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, ngase ka gabuar dhe është penduar për kryerjen e kësaj vepre penale.

Pranimi i fajësisë nuk ishte kundërshtuar nga prokurorja Sllavica Popoviq, sipas të cilës, një veprim i tillë kishte mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Ndryshe në këtë rast, për veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, akuzohej edhe  Çlirim Drugzani, ndaj të cilit ka përfunduar procesi gjyqësor dhe Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, më 9 tetor 2019, të akuzuarin Drugzani e ka dënuar me 200 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Eduard Hoxha dhe Çlirim Drugzani, të cilët i ngarkon me veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Eduard Hoxha, më 24 tetor 2018, rreth orës 21:30, në rrugën Viti-Pozharan, më saktësisht në hyrje të fshatit Pozharan, përderisa qëndronte në veturë me shokun e tij, Çlirim Drugzani, të parkuar skaj rrugës dhe pas identifikimit dhe kontrollit të tyre nga policia gjegjësisht Njësia e Hetimeve në Viti, në veturën e të pandehurit Eduard Hoxha është gjetur substancë narkotike e llojit “Marihuanë”, me peshë 0.5 gram. /BetimipërDrejtësi