Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishte ndërtuar objekt banesor pa poseduar leje ndërtimi

thumbnail_20191211_142048 (2)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 21, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, pas pranimit të fajësisë, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 900 euro, të akuzuarit për ndërtim pa leje, Shkelzen Hadergjonaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, i akuzuari është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e të pandehurit, dënimi i është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 900 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Në seancën fillestare, pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, i akuzuari ka deklaruar që e pranon fajësinë për veprën që e ngarkon akuza.

“Kom konsideru që në bazë të kushteve të ndërtimit, kam të drejtë të bëjë përgatitje dhe ta hapi bodrumin derisa të pajisem me lejen e ndërtimit, e kjo është arsyeja pse e kom fillu ndërtimin pa leje me shkrim”, ka thënë Hadërgjonaj.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe prokurorja Ardiana Veseli dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sali Mekaj dhe më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, Shkelzen Hadergjonaj akuzohet se më 17 maj 2019, në Pejë, e ka kryer veprën penale “Ndërtim pa leje”, nga neni 359, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri si pronar-përgjegjës i subjektit “Newco Green Market”, e ka bërë ndërtimin pa leje, ashtu që përmes së subjektit të lartcekur e ka vazhduar ndërtimin e objektit banesor, edhe pse Inspektorati Komunal i Ndërtimit në Pejë, përmes procesverbalit, dy herë e kishte urdhëruar ta pezullojë punën ndërtimore derisa të pajiset me leje të ndërtimit. /BetimipërDrejtësi