Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se gjatë pastrimit të revoles nga pakujdesia shtiu në djalin e tij

Sabina
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 8, 2019

 

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten e ka shpallur fajtor të akuzuarin R.Sh, i cili duke e pastruar armën nga pakujdesia kishte shtënë në djalin e tij R.Sh.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, i akuzuari R.Sh për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, është dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo me pajtimin e tij, dënimi me burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ai është dënuar me 800 euro gjobë, ndërsa gjykata ndaj tij ka shqiptuar dënimin unik prej 1500 euro.

Ndryshe, i akuzuari R.Sh dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 tetor 2019, kishin lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila marrëveshje është shqyrtuar në seancën e mbajtur me 7 nëntor 2019.

Sipas kësaj marrëveshje, për veprën penale ”lëndim i rëndë trupor”, ishte propozuar dënim me gjashtë muaj burgim, me mundësi të zëvendësimit me gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje, dënim me gjobë në shumë prej 800 deri në 1000 euro.

I akuzuari është obliguar që të paguajë edhe 500 euro për shpenzime të procedurës penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 tetor 2019, i akuzuari R.Sh, akuzohej se më 10 gusht 2019, në shtëpinë e tij, në fshatin Barilevë të Prishtinës, derisa ishte duke e pastrua pistoletën, në dhomë ishin duke luajtur fëmijët e tij, nga pakujdesia i kishte shkrepur arma, me ç’rast e kishte goditur djalin e tij R.Sh, në regjionin e kokës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria të akuzuarin R.Sh e ngarkonte me veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi