Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për posedim të marihuanës

foto per web 7.11.201-9
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Nëntor 7, 2019

 

Dragash – Pasi ka pranuar fajësinë se kishte poseduar 0.24 gram marihuanë, të enjten, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, e ka dënuar me 300 euro gjobë, të akuzuarin Blerim Xhemali.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bekri Vehapi, i akuzuari është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për viktimat e krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale të posedimit të narkotikë, me ç’rast ka kërkuar falje, si dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsëris veprime të ngjashme.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mehreme Hoxha, pasi që siç ka thënë ajo, një gjë e tillë është bërë pa presion, me vullnetin e tij dhe përputhet me dispozitat ligjore.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 shtator 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Blerim Xhemali, akuzohet se më 20 dhjetor 2018, rreth orës 20:00, në një pikë kontrolli në fshatin Brodosan, ka poseduar pa autorizim narkotikë, të llojit marihuanë.

Në aktakuzë thuhet se pasi që patrulla policore, ndalon automjetin e tipit “Mercedes”, gjatë kontrollit të automjetit, gjen një cigare të mbushur me substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 0.24 gram, gjysmë e përdorur, të cilën e kishte konsumuar, e pastaj e kishte lenë i akuzuari Xhemali.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “posedim i pa autorizuar i narkotikeve, substancave psikotropike ose analoge”, nga neni 269, paragrafi 2 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi