Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për aksident trafiku

Gjykata Themelore Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Gusht 13, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Pajtim Berisha.

Të akuzuarit i është shqiptuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, mirëpo me pëlqimin e të akuzuarit, ky dënim i është shndërruar në dënim me gjobë dhe atë në shumë prej 800 euro.

Ai është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20, dhe taksën për kompensim të viktimave në shumë prej 30 muajve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjykatësja Florije Zatriqi, pasi që i akuzuari në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Këtë pranim fajësie e kishte mbështetur edhe prokurorja e rastit, Sadije Muriqi, e më pas ishte aprovuar edhe nga gjykatësja Zatriqi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Pajtim Berisha, akuzohet se me 29 tetor 2016, në fshatin Kryshec të Pejës, nga pakujdesia ka shkelur rregullat e trafikut publik, duke shkaktuar aksident trafiku, me ç’ rast ka pësuar dëme i dëmtuari Safet Kuq.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari në vendin e lartcekur, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës në kthesë, ka kaluar nga shiriti i tij qarkullues në shiritin tjetër dhe e ka goditur me pjesën e pasme të veturës së tij, automjetin e llojit multikultivator, të cilin e drejtonte i dëmtuari Safet Kuq, me ç’ rast i njëjti kishte pësuar lëndime të rënda trupore. /Betimipërdrejtësi