Dënohet me gjobë i akuzuari për pengim të policëve në kryerjen e detyrave zyrtare

foto 10.01.2019 (2)
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 10, 2019

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me tre muaj burgim, të akuzuarin për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Astrit Morina.

Por, me kërkesën e të akuzuarit ky dënim i është zëvendësuar në gjobë në shumë prej një mijë euro.

Sipas gjykatësit, Lulzim Paçarizi, dënimin me gjobë, i akuzuari Morina është i obliguar ta paguaj në afat prej 30 ditësh, nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, në të kundërtën do t’i zëvendësohet me dënim me burg.

I akuzuari është obliguar që ta paguaj edhe shumën e paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro.

Në seancën e mbajtur të martën më 8 janar, i akuzuari Astrit Morina e kishte pranuar fajësinë, për akuzën që i vihej në barrë.

I pranishëm në shpallje të aktgjykimit ishte edhe prokurori, Bajram Kryeziu.

Ndryshe, sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Astrit Morina po akuzohet se më 3 janar 2015 në ora 13:30, tek Stacioni Policor në Malishevë, nuk iu bindet urdhrave të oficerëve policorë, Kushtrim Sertolli dhe Abaz Zulfaj, pasi që të njëjtit e kishin ndaluar të akuzuarin Morina me automjetin e tij për t’i shqiptuar një tiketë kundërvajtjeje.

Më pas i akuzuari Morina, në shenjë revolte del nga automjeti dhe shkon pas oficerëve policorë dhe hyn brenda objektit të sigurimit edhe për kundër faktit se tërheqjes së vërejtjes që të del jashtë, i akuzuari del jashtë dhe hyn me gjysmën e trupit përmes dritares dhe e kap bllokun e tiketave, dhe e gris tiketën e dënimit duke i kanosur me fjalët se “mos e shkruaj këtë tiketë heej, se pasi ta kryeni punën e merrni vesh se kush jam unë”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, Astrit Morina, akuzohet se ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragraf 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.