Dënohet me gjobë i akuzuari për mbajtje të paautorizuar të sprejit

Vendim
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shtator 11, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të premten, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Jeton Boqolli.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Sami Sharaxhiu, menjëherë pas mbajtjes së seancës fillestare, në të cilën i akuzuari është deklaruar fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i sprejit.

I akuzuari Boqolli është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 25 euro, si dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 50 eurove.

Pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar,  i akuzuari Boqolli deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I njëjti tha se i vie keq për rastin që ka ndodhur dhe premtoi se nuk do të kryej më vepra penale, pasi që sipas tij po përgatitet të udhëtoj për punë të përkohshme.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Haxhi Sinanaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Sharaxhiu.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Jeton Boqolli akuzohet se me 19 dhjetor 2018, në fshatin Raushiq, Komuna e Pejës, pa autorizim ka poseduar një sprej “OC SPREY” Pro Tect, në atë mënyrë që në ditën kritike, pasi që zyrtarët policor kishin shkuar në shtëpinë e tij për ta kërkuar lidhur me një përleshje që kishte ndodhur dhe kishte pësuar lëndime të lehta trupore, posa kthehet nga shkolla dhe hynë në oborrin e shtëpisë, me rastin  e bastisjes, në xhepin e xhaketës ia gjejnë sprejin me të dhëna sikur më lartë, i cili edhe konfiskohet nga ana e policisë. /BetimipërDrejtësi