Dënohet me gjobë dhe burgim me kusht i akuzuari për posedim të marihuanës

05.02 (6)
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prill 30, 2021

Prishtinë – Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht dhe 100 euro gjobë të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Jon Berisha.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sulltane Hoti, dënimi me 4 muaj burgim me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar të paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 60 euro.

Paraprakisht, në seancën e së enjtes, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Jon Berisha më 13 mars 2018, rreth orës 15:20, në rrugën Enver Zyberi, në komunën e Prishtinës kishte mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të llojit “Marihuanë”, në peshë të përgjithshme prej 1.16 gram, ashtu që gjatë kontrollit nga ana e policisë, të pandehurit i ishte gjetur në trup një qese dhe një cigare të cilën e kishte mbështjell në formën e cigares.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi