DËNOHET ME GJASHTË MUAJ BURG ME KUSHT PËR SHKAKTIM TË RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Ilir Istrefit, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. I pandehuri gjatë këtij shqyrtimi e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e rëndon, dhe i njëjti u dënua me kusht me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari brenda kësaj periudhe nuk kryen vepër tjetër penale.
I pandehuri deklaroi se e pranon fajësinë për veprën që e rëndon, si dhe tha që është penduar për këtë. Lidhur me këtë gjykatësja individuale Hysnije Gashi morri aktvendim me të cilën u pranua pranimi i fajësisë së të pandehurit.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Ismet Rrahmani i ka propozuar gjykatës që pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri dhe mbi bazën e fakteve që gjenden në shkresat e lëndës, i njëjti të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet sanksioni penal i paraparë me ligj.
Kurse i pandehuri në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se është penduar për veprën të cilën e ka kryer dhe kërkon nga gjykata që ndaj tij t’i shqiptohet dënim sa më i arsyeshëm.
Gjykatësja individuale Hysnije Gashi pasi e shpalli të mbyllur seancën e së martës, sjelli aktgjykimin me të cilin i pandehuri Ilir Istrefi për shkak të veprës penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, u shpall fajtor dhe i njëjti u dënua me kusht me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari brenda kësaj periudhe nuk kryen vepër tjetër penale. Ndërsa të dëmtuarin, Elmaz Istrefi e ka udhëzuar në kontest civil.