Dënohet me gjashtë muaj burg i akuzuari që pranoi fajësinë për sulm ndaj pylltarëve në Istog

20190611_093149
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Qershor 11, 2019

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me gjashtë muaj burg të akuzuarin për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, Smajl Berisha.

Gjykatësi Arben Mustafaj, ka njoftuar se në dënimin e shqiptuar, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha prej një muaji që e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I pandehuri, obligohet po ashtu edhe në shpenzimet procedurale në shumën prej 50 euro në total”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Në seancën fillestare të së martës, para shpalljes së aktgjykimit, i pandehuri Berisha është deklaruar fajtor.

“Më vjen keq për rastin. I premtoj gjykatës se më nuk do bie ndesh me ligjin”, ka thënë i pandehuri Berisha.

Nga ana tjetër, prokurori Arben Hoti, ka kërkuar nga ana e gjykatës që t’i këtë parasysh rrethanat rënduese, ngase sipas tij, i pandehuri është recidivist.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj Smajl Berishës, më 8 prill 2019, duke e akuzuar se më 15 mars 2019, rreth orës 06:30, në bjeshkën e “Radushës”, në Komunën e Istogut, pikërisht tek vendi i quajtur “Kroni i Shelnjes”, me dashje dhe me përdorim të mjetit të rrezikshëm ka sulmuar personat zyrtarë, në cilësinë e pylltarëve, Bejtë Dervishaj dhe Hysni Ramaj.

Sipas aktakuzës, ditën kritike përderisa personat zyrtarë – të dëmtuarit, kishin dalë në terren me qëllim të kontrollimit të pyjeve, kanë hasur tek i pandehuri Berisha, i cili ka pasur të ngarkuar dru për djegie.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri me t’i vërejtur personat zyrtarë, ka zbritur nga automjeti dhe ka filluar t’i sulmojë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri fillimisht e ka sulmuar të dëmtuarin Bejtë Dervishaj me një kaçavidë, e pastaj nga automjeti ka marrë sharrën motorike, të cilën e ka ndezë dhe me të i ka sulmuar dy të dëmtuarit, e ku i dëmtuari Hysni Ramaj me qëllim të parandalimit të pasojave nga sulmi i të pandehurit, është detyruar që të marrë armën zyrtare nga automjeti. /BetimipërDrejtësi