Dënohet me burgim me kusht i akuzuari për kultivim të bimëve narkotike

IMG_20181205_143722_954
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me një vit burgim me kusht, të akuzuarin për kultivim të bimës narkotike, Admir Gashi.

Dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet, në periudhën verifikuese prej tre vjetësh.

Shpalljen e këtij aktgjykimi, e bëri kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi në seancën e së mërkurës.

I akuzuari Gashi, detyrohet të paguaj shumën prej 100 euro, në emër të paushallit gjyqësor, dhe 50 euro, fondit për mbrojtjen e viktimave.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore, më 21 qershor 2017, Admir Gashi, dyshohej se kishte kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës apo bimës së kanabisit”.

Sipas aktakuzës, më 8 qershor 2016, në oborrin e shtëpisë së tij, rruga “Asllan Pireva” në Prishtinë, janë gjetur dhe konfiskuar dhjetë vazo, në të cilat ishin mbjelle 12 fije bimë kanabis stativa,  të improvizuara në një serrë najloni.

Bimë këto të cilat, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte kultivuar në mënyrë të paautorizuar, me qëllim të prodhimit ose substancave psikotrope.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës apo bimës së kanabisit”, nga neni 278 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.