Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari që pranoi se me armën pa leje shtiu në ahengun familjar

IMG_0400
Author

Raporton: Emine HALITI

Shkurt 11, 2020

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, të akuzuarin për përdorim të armës dhe armëmbajtjes pa leje, Rafet Orana.

Por, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari Orana, nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, gjobën ai është obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i rastit, Sahit Krasniqi, pasi që në seancën fillestare të mbajtur të martën, i akuzuari në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë për veprat penale me  të cilat e ngarkon aktakuza.

Me pranimin e fajësisë nga i akuzuari është pajtuar edhe prokurori, Veton Shabani.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 13 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Rafet Orana, me të cilën atë e ka ngarkuar për dy vepra penale “përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 3 gusht 2019, në fshatin Cërnillë të Ferizajt, përkatësisht në oborrin e shtëpisë, i pandehuri gjatë një ahengu familjar ka përdorur revole me gaz e markës “Ecol Special”, me një karikator dhe katër fishekë, në atë mënyrë që me të njëjtën ka shkrepur disa herë në ajër.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se njësiti i hetimeve, me rastin e kontrollit të të pandehurit i është gjetur revolja me gaz e markës “Ecol Special”, me një karikator dhe katër fishekë, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, të cilat i janë sekuestruar nga ana e policisë. /Betimipërdrejtësi