Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari për vjedhje të druve

Gj. Podujeve
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Maj 15, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me dy muaj burgim me kusht si dhe 150 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje, Valmir Zeqiri.

Por, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit Elheme Jashari, i akuzuari Zeqiri obligohet që të paguajë shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pas seancës fillestare të së mërkurës, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën  ngarkohej.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Ajdini dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësja Jashari.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar edhe Hizdri Murtezi dhe Adonis Plakolli, por që procedura ndaj Valmir Zeqirit ishte veçuar për shkak se ai ka jetuar jashtë shtetit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 mars 2016, Valmir Zeqiri akuzohet se më 23 tetor 2014, rreth orës 00:40, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, në oborrin e shtëpisë së Qëndrim Halili, i pandehuri në bashkëkryerje me të akuzuarit Hizdri Murtezi dhe Adonis Plakolli, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja në mënyrë të kundërligjshme, kanë marrë dru të llojit bung dhe shkozë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje”, nga neni 325 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi