Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari për posedim të narkotikëve

Pallati 3
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Arlind Rexhepi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Medie Bytyqi, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu të akuzuarit i është konfiskuar substanca narkotike, e llojit marihuanë dhe amfetaminë.

I akuzuari Rexhepi është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe 30 euro të tjera në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Sipas gjykatëses Bytyqi, pala e pakënaqura kundër këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Rexhepi e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 shtator 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Arlind Rexhepi për veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 3 dhjetor 2017, në rrugën “Simon Shiroka”, në Prishtinë, i akuzuari Rexhepi kishte mbajtur pa autorizim në posedim substanca narkotike të llojit marihuanë, që përmban tetrahidrokanabinol (THC) në peshë neto prej 4.60 gramë + 0.1 gram, si dhe substancë narkotike – pluhur të llojit amfetaminë në peshë prej 0.53 gram + 0.1 gram, ashtu që gjatë kontrollit nga ana e policisë, të pandehurit i ishin gjetur në trup. /BetimipërDrejtësi