Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari për kontrabandim me migrantë

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shtator 9, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, pas përfundimit të rigjykimit, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dy vjet burg me kusht dhe 500 euro gjobë, të akuzuarin për kontrabandim me migrantë, Danilo Milutinoviq.

Dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse brenda tre vjetëve të ardhshme nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, dënimin me gjobë është obliguar ta paguajë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E nëse nuk mund ose nuk dëshiron që ta paguajë, dënimi me gjobë do t`i zëvendësohet me burg, ku për çdo 20 euro do t`i llogaritet një ditë burgim.

Krahas kësaj, i pandehuri Milutinoviq, është obliguar që të paguajë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën në vlerë prej 50 euro.

Aktgjykimin e ka shpallur trupi gjykues, pasi paraprakisht e ka rikualifikuar veprën penale nga neni 138, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, në nenin 164, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili është më i favorshëm për palën.

Rikualifikimin e veprës penale e ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miodrag Brklaq, i cili në seancën e së hënës, ka kërkuar që të aplikohet kodi penal që kishte hyrë në fuqi në vitin 2012.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, ka deklaruar se rikualifikim i veprës penale mund të bëhet me kodin penal që është në fuqi, e që parasheh të njëjtin dënim prej 2 deri 10 burgim vjet, sikurse i vitit 2012, ku edhe plotësohen kushtet për shqiptimin e dënimit me kusht.

Ndryshe, ish-Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, më 26 nëntor 2007, të akuzuarin Milutinoviq, e kishte dënuar me dy vjet burg me kusht, të cilin dënim nuk do ta mbante nëse nuk kishte për të kryer vepër të re penale në afat prej katër vjetësh.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte ushtruar ankesë prokuroria dhe mbrojtja, me ç` rast Gjykata Supreme, 27 tetor 2011, kishte anuluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas Supremes, shkalla e parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi në rastin konkret nuk ka mundur t`i shqiptojë dënim të kushtëzuar.

Ndryshe, ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë, më 23 mars 2007, kishte ngritur aktakuzë ndaj Danilo Milutinoviqit, të cilin e kishte ngarkuar me veprën penale “kontrabandim me migrantë”, nga neni 138 par 1 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Milutinoviq, më 14 mars 2007, me automjetin e tij të markës “Golf 2”, nga Mitrovica për kufirin Kosovë- Serbi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore kishte filluar transportimin e pesë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, Dorian Lakasi, Bajram Bala, Arlond Bala, Elis Doci dhe Deniz Elezi.

Siç thuhet në aktakuzë, ata e kishin destinacionin e fundit Italinë, ku edhe ishin ndalur në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviqit, nga ana e patrullës së policisë kufitare. /BetimipërDrejtësi