Dënohet me burg dhe me gjobë i akuzuari për vjedhjen e biçikletave, këpucëve dhe atleteve

Elvis Drmaku-foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 15, 2019

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim unik prej dy vjet e shtatë muaj burgim dhe 1400 euro gjobë, të akuzuarin për shtatë vepra penale të vjedhjes, Elvis Drmaku.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga gjykatësi Mentor Bajraktari, i akuzuari Drmaku është i obliguar që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndryshe e njëjta do t’i zëvendësohet më 70 ditë burgim.

Të dëmtuarit Idriz Bedra, Adnan Gashi, Përparim Sina, Edon Maloku dhe Ardit Rraci janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesave pasurore-juridike, ndërsa të dëmtuarit Zeki Golaj dhe Yll Ballata nuk janë udhëzuar në kontest civil, pasi që të njëjtit kanë hequr dorë.

Gjykatësi Bajraktari ka bërë edhe përmirësimin e kualifikimit juridik sa i përket veprës penale në dispozitivin e parë të aktakuzës, ashtu që në vend të paragrafit 1 është shtuar paragrafi 2, pasi që shuma e dëmit ka qenë më e vogël se 50 euro, përkatësisht 20 euro.

I akuzuari Drmaku në seancën fillestare të 8 prillit të këtij viti e kishte pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat ngarkohej.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 25 mars 2019, Elvis Drmaku po akuzohet se më 18 dhjetor 2018, rreth orës 9:00, në rrugën “Adem Jashari” në Gjakovë, pikërisht para banesës së të dëmtuarit, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Zeki Golaj, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari para banesës së tij kishte lënë këpucët dimërore, aty shkon i pandehuri dhe i merr të njëjtat dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në shumën prej 20 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2019, rreth orës 14:00, në rrugën “Sefedin Xërxa” në Gjakovë, pikërisht në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, merr pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit Përparim Sina, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari në oborrin e tij kishte lënë biçikletën, aty shkon i pandehuri dhe e merr të njëjtën dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në shumën rreth 200 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 25 shkurt 2019, rreth orës 7:30, në rrugën “Ilir Sopa”, në Gjakovë, pikërisht në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Idriz Bedra, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari i kishte lënë dy biçikleta, njëra ngjyrë të kuqe e tjetra ngjyrë hiri, aty shkon i pandehuri dhe i merr të njëjtat dhe largohet, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë rreth 130 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 15 shkurt 2019, në kohë të pacaktuar, në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, pikërisht në shtëpinë e të dëmtuarit, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Edon Maloku, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm, shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, e më pas hynë në punëtorinë e tij dhe nga aty merr një laptop “Accer Aspire One” , dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë rreth 250 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 16 shkurt 2019, rreth orës 15:30, në rrugën “Yllka Domi”, në Gjakovë, pikërisht në shtëpinë e të dëmtuarit, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Ardit Rraci, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari i kishte lënë atletet “Rebook”, ngjyrë të zezë para derës së shtëpisë, aty shkon i pandehuri dhe i merr të njëjtat dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë rreth 100 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 18 shkurt 2019, në kohë të pacaktuar, në rrugën “Bashkim Idrizi” në Gjakovë, pikërisht në bodrumin e shtëpisë së të dëmtuarit, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Yll Ballata, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari e kishte lënë biçikletën në bodrumin e banesës, aty shkon i pandehuri dhe me mjete arrin ta këpus drynin dhe më pas e merr të njëjtën dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë rreth 170 euro.

Për këtë, sipas aktakuzës ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 parag.1 të KPRK-së.

I njëjti, gjatë muajit shkurt të vitit 2019, në rrugën “Elena Gjika”, në Gjakovë, pikërisht në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Adnan Gashi, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm, derisa i dëmtuari në oborrin e tij e kishte lënë biçikletën ngjyrë të gjelbër me të zezë, aty shkon i pandehuri dhe e merr të njëjtën dhe largohet nga aty, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë rreth 100 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325 parag.1 të KPRK-së./Betimipërdrejtësi