Dënohet me 900 euro gjobë ish-noteri i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar

Raporton: Genta PAJAZITI

Ferizaj–I akuzuari Nexhat Qorrolli është dënuar me 900 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ngase se në qershor të 2020-ës, në cilësinë e noterit vërtetoi dokumentin zyrtar – autorizimin me përmbajtje të rreme, duke shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Fillimisht, i akuzuari Nexhat Qorrolli u dënua me 6 muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij, ky dënim iu zëvendësua me dënim me gjobë prej 900 euro, të cilën është i detyruar që ta paguajë brenda 15 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti është obliguar që të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e fondit të viktimave.

Kundër këtij aktgjykimi, lejohet e drejta e ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 prill 2022 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 23 qershor 2020, në zyrën Noteriale në rrugën “Rruga e Reçakut”, si person zyrtar – në cilësinë e noterit, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për noterinë Nr. 06/L-010 neni 3, ku me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare të noterisë vërteton dokumentin zyrtar – autorizimin me përmbajtje të rreme, duke shkel të drejtat e të dëmtuarës S.C., në atë mënyrë që pa prezencën dhe miratimin e saj, e cila gjendej jashtë vendit në shtetin e Danimarkës, ka lëshuar autorizim të përgjithshëm për përfaqësim me numër LP.1743/2020, të datës 23.06.2020, në emër të saj për prindin B.C.

Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë