Dënohet me 9 muaj burgim i akuzuari për legalizim të përmbajtjes së rreme

Raportojnë: Ronesa Dragusha dhe Donjeta Ajvazi

Malishevë- Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Malishevë e ka dënuar me 9 muaj burgim efektiv të akuzuarin S.M, për akuzën se e kishte vënë në lajthitje gjykatën duke trashëguar 47 ari me dokument të rrejshëm, me pretendimin se ka ekzistuar një person me emrin Rr.M.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësi i rastit Njazi Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari S.M dënimin do ta vuajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së të njëjtit.

Gjithashtu, i akuzuari S.M detyrohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës, për fondin e kompensimit të viktimave shumën prej 30 euro dhe për paushallin gjyqësor në shumë prej 60 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shkurt 2015 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, S.M ngarkohej se më 3 qershor 2014, në Malishevë, ka vënë në lajthim Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, saktësisht gjyqtarin Haki Kryeziu, i cili vërteton një çështje të pavërtetë me aktgjykimin e 3 qershorit 2014, me të cilin gjykata refuzon kërkesëpadinë e paditësve S., Rr. A., H., M., N., dhe H.M, nga Malisheva, ndaj të paditurve R., S., M., J., N., R., N., M., S. dhe H.M.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari S.M. ka prezantuar dokumentin e rrejshëm se ka ekzistuar një person me emrin Rr.M. që ka pasur në pronësi  ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 47 ari në Malishevë, e që pastaj e ka trashëguar te pala e paditur, e që gjykata është vënë në lajthim duke vërtetuar pronësinë sipas trashëgimisë, edhe pse kjo pronë ka qenë e familjes së të dëmtuarit S.M, tani i ndjerë.

Me këtë, i akuzuari ngarkohej me veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryerësi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë