Dënohet me 800 euro gjobë i akuzuari se rrahu një person duke i shkaktuar lëndime trupore

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti–I akuzuari E.E. është dënuar me 800 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ngase se në prill të 2022-ës ka rrahur të dëmtuarin A.E., në fshatin  Vërban të Vitisë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, i akuzuari E.E. u dënua me 3 muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij, ky dënim iu zëvendësua me dënim me gjobë prej 800 euro, të cilën është i detyruar që ta paguajë brenda 15 ditësh.

I njëjti është obliguar që të paguajë shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e fondit të viktimave.

Kundër këtij aktgjykimi, lejohet e drejta e ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 25 qershor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër E.E, me arsyetimin se më 13 prill 2022, rreth orës 22:30 , tek parking i lokalit “Met’” në fshatin Vërban, Komuna e Vitisë, me përdorimin e atë qasshëm  të dhunës, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit A.E., në atë mënyrë që deri sa kishte qenë duke i vendosur gjërat në veturën e tij , i njëjti takohet me të dëmtuarin i cili gjithashtu kishte qenë me veturë, e nxjerr nga vetura e godet me grushte në fytyrë e më pas me një shkop druri, mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, e godet në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimet e veta i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit në formë të ndrydhjeve të indeve të buta të regjionit të kokës dhe shputës së këmbës së djathtë, plagë shqyese në regjionin e majtë muror të kokës dhe në hundë, i cili për shkak të natyrës së lëndimeve është detyruar të kërkoj ndihmë mjekësore fillimisht në QMF Viti e më pas në Emergjencën e Spitalit Regjional të Gjilanit.

Me këto veprime,  i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1,  nën paragraf 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë