Dënohet me 800 euro çifti turk, pranuan se falsifikuan dokumentet për të shkuar në Gjermani

Author

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Shtator 14, 2021

Lipjan- Të akuzuarit Levent dhe Ceylan Alptekin janë dënuar me nga 400 euro gjobë, pasi pranuan se kishin falsifikuar dokumentet për të shkuar në Gjermani.

Aktgjykimi dënues për të akuzuarit u shpall të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nga gjykatësi Selman Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërtën dënimi me gjobë do t’iu zëvëndësohet me dënim me burgim.

Gjatë shqyrtimit fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Rukije Sheshivari, dy të akuzuarit Levent dhe Ceylan Alptekin kanë pranuar fajësinë.

Ata kanë thënë se e ndjejnë veten fajtorë, kurse këtë pranim të fajësisë e kanë bërë pa presion, me vullnet dhe vetëdije të plotë.

I pandehuri Levent Alptekin gjatë deklaratës së tij ka thënë se, kishte për qëllim të shkonte në Mynhen- Gjermani për çështje pune lidhur me hoteleri.

Duke theksuar se është hera e parë që bien ndesh me ligjin, ata i premtuan gjykatës se më nuk do të përsërisin veprën penale si dhe do të kthehen në Turqi.

Mbrojtësi i të pandehurit të parë Levent Alptekin, avokati Blend Gjini, ka thënë se i mbrojturi i tij e ka pranuar vullnetarisht fajësinë duke treguar edhe qëllimin e tij se pse e ka kryer këtë vepër penale, i njëjti  po ashtu përmendi pendesën e të akuzuarit dhe premtimin se nuk do të përsëritet vepra penale.

Avokati Gjini kërkoi nga gjykata të ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese në rastin e matjes së dënimit, e sidomos si rrethanë lehtësuse bashkëpunimin për këtë vepër penale, ashtu që me rastin e shqiptimit të dënimit, t’i shqiptojë një dënim me gjobë sepse edhe me këtë dënim do të arrihet efekti i kësaj procedure penale.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve është pajtuar prokurorja Sheshivari dhe si i tillë është aprovuar edhe nga gjykatësi Selman Salihu.

Po ashtu, të akuzuarit Levent dhe Ceylan Alptekin, obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 30 euro, si dhe për kompensimine viktimave të krimit, shumën prej 30 euro.

Ndyshe, pas seancës fillestare, është mbajtur edhe seanca  degjimore për të akuzuarin e parë Levent Alptekin, ndaj të cilit kishte kërkesë për caktimin e masës se parapaburgimit.

Gjatë seancës dëgjimore prokuroria Rukije sheshivari është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që i pandehuri në shqyrimin fillestar paraprak e kishte pranuar fajsinë dhe i kishte premtuar gjykatës se nuk do të përsëris më vepra penale.

Kurse, vet i pandehuri Leventi ka thënë se, do të kthehet në Turqi dhe do t’i respektojë autoritetet e Republikës së Kosovës.

Fjalën e prokurores Sheshivari e ka mbështetur mbrojtësi i të akuzuarit, Gjini, ndërsa ka shtuar se, janë pushuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore më 14 shtator 2021, ngarkon të pandehurit Levent dhe Ceylan Alptekin se më 13 shtator 2021 së bashku me fëmijët e tyre të mitur djalin e tyre T.A dhe vajzën e tyre M.A, kanë tentuar që të udhëtojnë nga ANP-në relacionin Prishtinë- Minhen- Kiev.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë kontrollit të dokumentve kanë prezantuar pasaportat e Republikës së Turqisë, kanë prezantuar lejet e qëndrimit të shtetit të Belgjikës në emër të tij, të gruas së tij, dhe fëmijëve të tyre.

Me këtë të pandehurit secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.