Dënohet me 7 vjet burg ish-togeri Ferizajas Menders Sinani

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Gjykata Themelore e Ferizajt, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari i EULEX-it, Piotor Bojarchuk , dënoi ish togerin ferizajas Menderes Sinanin, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim. Në dënimin e shqiptuar nga gjykata, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Me vendim të gjykatës, ai do të shkoj në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Nga gjithsej 8 pikat e aktakuzës, Sinani u shpall fajtor në 5 prej tyre, dhe atë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare, “marrje të ryshfetit”, “ushtrim të ndikimit”, dhënie ndihmë kryesve të veprës penale dhe “moslajmërim i veprës penale apo kryesve të tyre”.

Gjykata gjithashtu obligoi Sinanin që, palës së dëmtuar, familjes së Bidajet Sylejamanit, t’ia kthej 4750 euro.

Sinani, i cili drejtonte Njësinë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, gjykohej nën masën e arrestit shtëpiak që nga viti 2013.

Gjykatësi Bojarchuk tha se, shpresojnë që ky aktgjykim do të jetë një sinjal për të gjitha ata shkelësit e ligjit, që nuk mundë ti ikin drejtësisë.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Vahid Tahiri, u shpall i pafajshëm për veprën penale “shmangie nga pagesat e taksave doganore”.

Prokurori Drew Engel tha per Betimi për Drejtësi, se dënimi i dhënë nuk duhet të ishte 7 vjet. “Në fakt jo vetëm Menderes Sinani, por edhe Vahid Tahiri duhej të dënoheshin për veprën penale të shmangies së tatimit, dhe se trupi gjykues ishte treguar më i butë, por megjithatë nuk është keq”, tha Engle. Gjithashtu ai shtoi se se së pari duhet ta shikojë arsyetimin e dhënë për këtë aktgjykim, në mënyrë që të kuptohet nëse është i drejtë, apo duhej të veprohej më ashpër.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë kishte kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë