Dënohet me 600 euro gjobë i akuzuari që pranoi se kanosi zyrtarët e KEDS-it dhe një zyrtar policor

Foto Gjykata Th.Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 7, 2018

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 600 euro gjobë, të akuzuarin për kanosje të zyrtarëve të KEDS-it dhe zyrtarit të Policisë së Kosovës, Agon Kelmendi.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, Kelmendi pranoi fajësinë dhe shprehi keqardhje për kryerjen e veprës që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kam pasur qëllime të caktuara e as paramendim që zyrtarët policor me çfarëdo veprimi t’i kërcënoj, por çdo gjë ka ndodhur rastësisht dhe me shaka” u shpreh i akuzuari Kelmendi.

Këtë pranim fajësie e pranoi edhe prokurorja Lumturije Hoxha, dhe e aprovoi gjykatësi i çështjes, Ahmet Rexhaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Rexhaj, i akuzuari fillimisht u dënua me 3 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burg u shndërrua në atë me gjobë, në shumën e lartpërmendur.

Kelmendi gjithashtu u obligua të paguaj edhe shpenzimet e paushallit në shumë prej 20 euro, dhe 30 euro për kompensim të viktimave të krimit.

Ndryshe, sipas akuzës së përpiluar më 20 korrik të vitit të kaluar, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Agon Kelmendi akuzohet se më 1 janar 2017, në fshatin Treboviq të Komunës së Pejës, i ka kanosur zyrtarët e KEDS-it dhe zyrtarin policor, Sadat Koiç, gjatë kohës kur punëtorët e KEDS-it ishin duke i vendosur kabllot e rrymës nëpër shtylla.

Sipas akuzës, Kelemndi iu kishte drejtuar zyrtarit të KEDS-it me fjalët “Mos gaboni me u nis knena me punu se keni me ma pa sherrin”, ku ndërkohë ndërhyn polici Koiç, duke ia sqaruar se ka ardhur për asistencë. Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i drejtohet me fjalët “jo dy patrulla, por biri 200 polic, nuk ka b** n*** që guxon me ia nis punës”./Betimipërdrejtësi