Dënohet me 600 euro gjobë i akuzuari për tri raste të vjedhjes së pyllit në Viti

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – I akuzuari V.M. është dënuar me 600 euro gjobë, pasi e pranoi fajësinë për tri raste të vjedhjes së pyllit në Viti.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të enjten nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Nexhat Aliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë prej 600 euro i njëjti detyrohet që ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykatësi Aliu bëri të ditur se në rast të mospagesës së dënimit, dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me burgim, konform nenit 43, paragrafi 3 të KPRK-së, ku për një ditë burgimi do të llogaritet shuma prej 20 euro.

Kurse e dëmtuara, Drejtoria për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, sektori i Pylltarisë të Komunës së Vitisë, u udhëzua që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë të rregullt gjyqësore.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka bërë bashkimin e tri lëndëve me qëllim të ekonomizimit të procedurës, meqenëse ka të bëjë me një të akuzuar, i cili ngarkohet për të njëjtat vepra penale.

Sipas aktakuzës së parë të ngritur më 9 mars 2022, V.M, akuzohej se më 13 shtator 2021, në terrenin e fshatin Smirë, Komunë e Vitisë, në vendin e quajtur “Te Bunari i mirë”, me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore administruar nga Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 24 copa trungje të llojit “Ahu” me diametër 16-18 cm, me gjatësi 10 m dhe me vëllim të përgjithshëm prej 3.10 m3.

Me këtë rast, thuhet se zyrës së APK-së në Viti i ka shkaktuar dëm në shumën prej 418 euro.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së dytë të ngritur më 21 prill 2022, V.M., akuzohej se më 24 mars, në pyllin shtetëror, në territorin e fshatit Smirë, Komuna e Vitisë në vendin e quajtur “Livadhi i  anit”, me qëllim vjedhje, me sharrë motorike ka prerë 46 copa dru të llojit Shkozë-Bung në cung, në diametër 15-20 cm dhe me diametër mesatar në cung në lartësi 17.5 cm dhe lartësi 9 m., me vëllim total 2.67 m3 në shumë prej 347 euro.

Me këtë, thuhet se dëmtoi Departamentin e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Vitisë për shumën e deklaruar.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas aktakuzës së tretë të ngritur më 26 prill 2022, V.M., akuzohej se më 23 shkurt 2022, në terrenin e fshatit Smirë, Komuna e Vitisë në vendin e quajtur “Vorri i Bashotës”, me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK, zyra në Viti, me sharrë motorike i ka prerë 23 copa trungje, 18 të llojit shkozë me diametër 16-18 cm, me gjatësi 12 m, dhe me vëllim të përgjithshëm prej 245 m3.

Me këtë rast, thuhet se zyrës së Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) në Viti i ka shkaktuar dëm në shumën prej 466 euro.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë