Dënohet me 600 euro gjobë e akuzuara që me pasaportë false kishte tentuar të shkonte në Gjermani

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan-Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan të martën ka shqiptuar dënim me 600 euro gjobë ndaj të akuzuarës për falsifikim të dokumenteve, V.Q.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarës Q. u shpall nga gjykatësi Selman Salihi në prani të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas të njëjtit, dënimin me gjobë e akuzuara Q. duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, detyrohet e akuzuara Q. që kësaj gjykate në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor t’i  paguaj shumën prej 30 euro, si dhe për Fondin e Viktimave të Krimit shumën prej 30 euro, të gjitha këto në afat prej 15 dite pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të pandehurës i konfiskohet pasaporta e falsifikuar e shtetit të Kroacisë.

Ndryshe, e akuzuara Q. pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Ajdini në shqyrtimin fillestar të mbajtur paraprakisht e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

E akuzuara pranimin e fajësisë e ka bërë me vetëdije të plotë dhe vullnetin e saj, duke qenë e bindur për pasojat e pranimit të fajësisë.

E njëjta ka thënë se, është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin, ndërsa ka menduar se dokumenti nuk është i falsifikuar.

Në fund, ajo ka kërkuar falje për atë se çfarë ka ndodhur dhe më nuk do ta përsërisë këtë vepër penale.

Me pranimin e fajësisë  nga ana e të akuzuarës është pajtuar prokurori Ajdini dhe si i tillë më pas është aprovuar edhe nga gjykatësi Salihi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2021, e pandehura V.Q. po e ngarkon me veprën penale “Falsifikimi i Dokumentit” nga neni 390 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 1 nëntor 2020, rreth orës 09:15, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, e pandehura me dije ka përdorur dokumentet e falsifikuar në atë mënyrë që ka tentuar të kalojë zonën kufitare, për të udhëtuar në relacionin Prishtinë-Dyseldorf.

Sipas aktakuzë, gjatë kontrollimit të dokumentit në arritje tek Policia Kufitare, ka prezantuar pasaportën e shtetit të Kroacisë, dhe letërnjoftimin po ashtu të Kroacisë, të cilët pas ekzaminimit laboratorik është konstatuar së tërësisht janë të falsifikuara. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë