Dënohet me 60 euro gjobë me kusht i akuzuari për vjedhje të energjisë elektrike

Gjykata6
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar me 60 euro gjobë me kusht të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve, Ismajl Selmani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sabit Sadikaj, i akuzuari dënimin me gjobë prej 60 euro nuk do ta paguaj, nëse i njëjti brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjykatësi Sadikaj ka njoftuar se i akuzuari Selmani është liruar nga shpenzimet procedurale, meqenëse është përfitues i ndihmave sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pala e dëmtuar, KEDS, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Selmani e kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2020.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 shtator 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ismajl Selmanit, me arsyetimin se prej kohës së pacaktuar e deri më 29 dhjetor 2014, në shtëpinë e tij, për plotësimin e nevojave, ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, ashtu që pa autorizimin e KEDS-it ka bërë lidhje direkte në rrjetin e tensionit të ulët dhe ka shpenzuar energjinë elektrike pa matje, me ç’rast është shkaktuar dëm prej 337.78€. /BetimipërDrejtësi