Dënohet me 6 muaj burgim me kusht i akuzuari për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 2017-tës

IMG-20210622-WA0002
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Qershor 23, 2021

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht të akuzuarin për falsifikimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 2017-tës, Agron Nikçi.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, dënimi me burgim prej 6 muajsh nuk do të ekzekutohet, nëse brenda afatit prej 1 viti Nikçi nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të propozimit nga ana e prokurorisë, gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi se ndaj të pandehurit nuk mund të shqiptohet ndalesa e ushtrimit të funksioneve zyrtare. Gjykatësja tha se puna e kryetarit të komisionit në zgjedhje është e përkohshme dhe ka përfunduar, andaj dhe nuk ka kushte për shqiptimin e një ndalese të tillë.

Aktgjykimi u shpall pasi gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të lidhur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të pandehurit Nikçi së bashku me mbrojtësin e tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, Shpëtim Berisha.

Kjo marrëveshje ishte lidhur me 12 prill 2021, me pëlqimin e kryeprokurorit të Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj e prokurorit të rastit, Agron Galani një njërën anë, si dhe të pandehurit me mbrojtësin e tij në anën tjetër.

Në këtë marrëveshje theksohej se Nikçi pajtohet që ta pranoj akuzën për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, në këmbim të dënimit prej 6 muaj burgim me kusht, në periudhë verifikuese prej 1 viti.

Kjo marrëveshje më pas u vlerësua nga gjykatësja Husaj-Rugova dhe u aprovua si e ligjshme.

Ndryshe, aktakuza ndaj Agron Nikçit është ngritur më 14 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Ai akuzohej se më 11 qershor 2017, në objektin e Fakultetit të Biznesit në Pejë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin nr.1704Y/05R, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Zgjedhor, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Në aktakuzë thuhet se pas rinumërimit të votave nga QNR-ja dhe krahasimit të dhënave të cilat janë krijuar në vendvotimin nr.1704Y/05R, ka rezultuar ndryshimi i votave, ku me rastin e numërimit të votave nga ana e kryesuesit të KVV-së brenda një subjekti politik kanë hequr votat e disa kandidatëve dhe kanë shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 168 vota, prej tyre 106 vota të shtuara dhe 62 vota të hequra dhe atë të shtuara për PDK-në 34 vota, LDK-së 29 vota, LVV-43 vota, gjersa të hequra PDK-së 18 vota, LDK-së 33 vota dhe LVV- 11 vota.

Për këtë ai ngarkohej me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi