Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për mbajtjen e një elektroshoku pa leje

167882927_913609699183198_7515301341338485768_n
Author

Raporton: Ermira HOXHA

Prill 29, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Berat Aliut të akuzuar për armëmbajtje, të cilin e ka dënuar me 500 euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësja Fatime Dërmaku, sipas të cilit i akuzuari është obliguar edhe me shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë, i akuzuari Aliu ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë.

Këtë pranim të fajësisë, nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Ikramije Bojaxhiu e cila i propozojë gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit të ketë parasysh edhe rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Si rrethanë rënduese prokurorja Bojaxhiu kërkoi nga gjykata të merret e kaluara e tij kriminale dhe mos përgjigja ndaj ftesave të organeve të drejtësisë.

“I propozojë gjykatës që ndaj të akuzuarit të merr parasysh rrethanat renduese se ndaj të njëjtit është lëshuar disa herë urdhër arrest ngase nuk i është përgjigj ftesave apo thirrjeve të prokurorisë  e po ashtu edhe të gjykatës e ne të këtë mënyre ka penguar dhe zvarritur  zhvillimin  e suksesshëm të procedurës”, tha prokurorja Bojaxhiu.

“Aq më tepër që në bazë të shkresave të bashkangjitura, përmbajtjes së diapozitivit të kallëzimit penal e siguruar nga data baza e policisë, figuron se i njëjti edhe me parë ka kryer një numër të konsiderueshëm të veprave penale të natyrave te ndryshme, andaj edhe dënimi nga ana e gjykatës duhet të jete më i lartë, me i ashpër, natyrisht duke pasur parasysh edhe rrethanat lehtësuese”,tha ajo .

Lidhur me këtë i akuzuari tha se ai gjithmonë iu është përgjigjur ftesës së gjykatës, mirëpo siç u vërtetua edhe gjatë kësaj seance gjykata kishte pasur adresën e shënuar gabim.

Ndërsa ka kundërshtuar që si rrethanë rënduese të merret e kaluara e tij sepse i njëjti deklaroi se kishte qenë përdorues i substanca narkotike.

“Pika e dytë që tha kam vepra penale, unë e kam pas një të kaluar të narkomanit, kam qenë përdorues i heroinës  në atë kohë para 2010,  e kom lan përmas atë periudhë, tash jam i martum kam grua dhe 2 fëmijë , lus gjykatën që ti ketë parasysh këto rrethana”, tha i akuzuari Aliu.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, Berat Aliu akuzohet se më 30 nëntor 2013,  në parkingun  në afërsi të stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë, gjatë kontrollit nga ana e Policisë të automjetit motortik të markës “BMË”, të cilin e drejtonte i akuzuari, i është gjetur një elektroshok 20000V, për të cilin i akuzuari nuk ka pasur leje valide të lëshuar nga ana e organeve kompetente konform ligjit për armë, që i është konfiskuar përkohësisht nga ana e policisë.

Me këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi