Dënohet me 500 euro gjobë asamblistja e Pejës e akuzuar për mosdeklarim të pasurisë

Raportojnë: Driton NOCAJ dhe Arlinda MUQA

Pejë- Gjykata Themelore në Pejë, pas përfundimit të shqyrtimit kryesor, e ka gjetur fajtore asamblisten e Kuvendit Komunal në Pejë, Dritë Maloku, duke e dënuar me 500 euro gjobë për mosdeklarim të të hyrave të biznesit të bashkëshortit të saj.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, e pandehura u dënua me 500 euro gjobë, të cilën gjobë detyrohet të paguajë brenda afatit prej 30 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nëse e pandehura nuk e paguan gjobën brenda afatit të përcaktuar, dënimi me gjobë mund t’i kthehet në dënim me burgim, ashtu që që 20 euro do të llogaritet një ditë burgim.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 korrik 2021, e ngarkonte Dritë Malokun, në cilësinë e zyrtares së lartë, si Këshilltare e Asamblesë Komunale, për mosraportim ose raportimin e rremë të pasurisë.

Sipas akuzës, më 3 qershor 2020, në Pejë, Maloku, zyrtare e lartë publike, Këshilltare e Asamblesë Komunale në Pejë, edhe pse sipas ligjit është e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, të dobisë  tjetër pasurore, nuk ka raportuar në Agjencisë Kundër Korrupsionit, të hyrat nga biznesi N.P.SH. “El-ing”, që është i regjistruar në emër të bashkëshortit të saj.

Me këtë, Maloku ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par. 1 të KPRK-së, i cili parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë