Dënohet me 5 muaj burgim me kusht e 400 euro gjobë pasi pranoi se u vonua në deklarimin e pasurisë

Raporti: Blerta BARKU

Prishtinë – Refiqe Tërnava është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 5 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, për akuzën se si këshilltare politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në vitin 2018, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hanefi Jashari, pasi e akuzuara e pranoi fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, e akuzuara Tërnava tha se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, e se ishte një lëshim.

“Nuk e kam raportuar pasurinë për arsye se kam qenë shtatzënë dhe në ato momente kam qenë  jashtë vendit,, deklaroi Tërnava.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Hava Krasniqi e më pas u aprovua nga gjykatësi Jashari.

I njëjti njoftoi se ndaj të akuzuarës Tërnava nuk do të ekzekutohet dënimi me burg, nëse e njëjta nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej një viti.

Kurse, gjobën tha se duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tërnava gjithashtu u obligua me pagesën e shpenzimeve të paushallit gjyqësor, në shumën prej 20 euro.

Në fund, gjykatësi Jashari i njoftoi palët lidhur me të drejtën për të ushtruar ankesë kundër këtij vendimi, në afat prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 6 shtator 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Refiqe Tërnava si këshilltare politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare, edhe pse ka qenë e detyruar me ligj.

Në aktakuzë thuhet se e njëjta nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor nga 1 marsi e deri më 31 mars 2018, të kërkuara për periudhën nga 1 janari e deri më 31 dhjetor 2017.

Me këtë, Tërnava ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437, paragrafi 1 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë