Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje

IMG_2566
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Qershor 26, 2020

Prishtinë – Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar me 400 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Leutrim Shalaku.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Shalaku është shpallur nga gjykatësi Shashivar Hoti, sipas të cilit ky dënim do të filloj të ekzekutohet brenda 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Hoti, në qoftë se i akuzuari Shalaku nuk paguan gjobën, ajo do të zëvendësohet në dënim me burg, ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro.

I akuzuari është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro.

Po ashtu, gjykata mori vendim për konfiskimin e pushkës së gjuetisë, armë të cilën policia e kishte sekuestruar nga i akuzuari.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 dite nga dita e dorëzimit të kopjes së tij.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 24 qershor, i akuzuari Shalaku u deklarua fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 shkurt 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Leutrim Shalaku për shkak të veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, Leutrim Shalaku akuzohet se prej datës së pavërtetuar ka mbajtur në pronësi pa autorizim një pushkë gjuetie e prodhimit turk, kalibrit 12 mm, ashtu që me 9 janar 2019, rreth orës 06:10 minuta, në Obiliq, saktësisht në fshatin Dardhishtë, Njësia Policore gjatë bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit, kanë gjetur armën e cekur më lartë, të cilën edhe ia kanë konfiskuar.

Ndryshe, kjo aktakuzë është ngritur nga prokurori i Departamentit të Përgjithshëm, mirëpo e njëjta lëndë ishte transferuar të gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Lidhur me gjykimin e këtyre rasteve, IKD në raportin e publikuar me 18 maj 2020, të titulluar “(Pa) ligjshmëria e gjykimit të armëmbajtjes pa leje”, ka rekomanduar që kjo vepër penale të gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda, pasi edhe sipas nenin 22 të Kodit të Procedurës Penale, kjo vepër listohet si krim i rëndë, e që bie në kompetencë të DKR-së.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, në kundërshtim me dispozitat ligjore, disa raste të armëmbajtjeve pa leje ishin gjykuar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Penal, ndërsa disa në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Lidhur me këtë, edhe Gjykata e Apelit, si gjykatë kompetente për unifikimin e praktikës gjyqësore, nisur nga shqetësimet e ngritura nga IKD për këtë problematikë që nga fillimi i monitorimit të këtyre rasteve, më 26 shkurt 2020, në takimin e mbajtur me gjyqtarët penalist të kësaj gjykate mori vendim që vepra penale e armëmbajtjes pa leje, e inkriminuar sipas nenit 374 të KPRK-së, përkufizim ky i cili tani është identik me nenin 366 të kodit të ri penal, bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Gjykatat dhe lidhur me nenin 22 të kodit të procedurës penale, është në kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda, dhe si e tillë duhet të gjykohet në këtë departament. /BetimipërDrejtësi