Ferizaj – F. H. i akuzuar për veprën penale “mospërfillja e gjykatës” është dënuar me gjobë prej 300 eurove. Tani i dënuari me aktgjykimin e shpallur po ashtu u obligua që të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 50 euro.
I pandehurit akuzohej për veprën penale “mospërfillja e gjykatës” nga neni 401 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse më 5 gusht 2013, rreth orës 15:20, në Shtime, nuk e ka zbatuar aktvendimin për urdhër mbrojtje. Ky aktvendim ishte lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke urdhëruar që bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, të lejoheshin të ktheheshin dhe të shfrytëzonin shtëpinë në Shtime. Por përkundër vërejtjeve që t’i lejoj të hyjnë në shtëpi i njëjti nuk i është bindur urdhrit.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Visar Musa, i pandehuri e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohej.
Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësja individuale e çështjes, Hakile Ilazi, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.